Roma çmëndet me stadiumin e ri – 1,3 miliard euro!

Roma po hyn në vitin 2017, duke pasur në plan realizimin e një projekti infrastrukturor voluminoz. Umberto Gandini, drejtori ekzekutiv i “ujkonjës”, në një konferencë shtypi që zhvilloi, këto ditë, në Dubai, paralajmëroi fillimin e ndërtimit të një stadiumi të ri me kapacitet prej 56 000 vendesh, në pjesën jugperendimore të Romës, që do të kushtojë 1,3 miliard euro fantastike. Sipas tij, klubi ndodhet në fazën finale para fillimit të ndërtimit të këtij objekti madhështor dhe është e sigurt se gurthemeli i parë i tij do të hidhet shumë shpejt. Po ashtu, ai bëri të ditur se stadiumi i ri do të jetë gati për sezonin 2020-2021. “Nga fillimi i punimeve, neve na ndajnë disa muaj. Pavarësisht nga zgjedhjet dhe ndryshimi i pushtetit, jam i sigurt se projekti ynë, me disa ndryshime mininale, do ta marrë lejen përkatëse”, tha Gandini.

Pas ndërtimit të këtij stadiumi, Roma do të jetë klubi i dytë në Itali, pas Juventusit, që do të ketë një stadium në pronësinë e vet. “Zonja e vjetër”, që nga viti 2011, është shpërngulur në “Juve arena”, me kapacitet prej 41 000 vendesh, dhe, që atëkohë, ajo nuk e ndan më fushën me ekipin rival të vet të Torinos. “Ujkonja”, ndeshjet e veta, si mikpritëse, i luan në “Olimpiko”, të cilin e përdor edhe Lacio. Romanët e marrin me qira fushën e stadiumit nga autoritetet e qytetit gjë që, pas vitit 2020, nuk do të jetë më nevoja, pasi ky ekip do të ketë stadiumin e vet.