Dy humbje radhazi dhe ndaj skuadrave që nuk janë më të fortat e Serisë A. Juventusi dështoi në shtëpi ndaj Sasuolos dhe pastaj në fushën e Veronës, dhe trajneri Masimiliano Alegri nuk ka ç’bën tjetër përveçse të qortojë lojtarët e tij. “Në pesë ditë flakëm tej punën e bërë për një muaj e gjysmë, – tha tekniku, – duhet të përmirësohemi shumë në fazën mbrojtëse. Kemi paguar shumë deri tani, e tregojnë shifrat që janë të pakundërshtueshme”. Juventusi është 16 pikë larg kreut të kampionatit, ku “fluturojnë” Napoli e Milan, por është larg edhe nga Interi, ndërsa rrezikon jo pak zonën Champions sepse rivalët janë të fortë. Roma, Lacio e Atalanta nuk janë “gjë e vogël”. Për momentin, më e rëndësishme është ndeshja në Champions. Për fat të mirë luhet në Torino, edhe pse kjo Juve nuk jep shumë garanci. “Duhet të realizojmë objektivin e parë të sezonit, kualifikimin për në turin e dytë të Championsit, dhe kjo do të na ndihmonte shumë”, – thotë Alegri.
Sfidanti.al