E vërteta është që nuk mund të quhet shumë i vjetër, pra as i konsumuar. Në kohën që po jetojmë, një 30-vjeçar si Miralem Pjaniç vlerësohet ende si në kulmin e moshës dhe të karrierës, ndaj edhe mesfushori nga Bosnjë-Hercegovina është mjaft i vlerësuar. Barcelona e ka bërë objektiv kryesor (në pritje të goditjeve në sulm), dhe duket se do t’ia arrijë qëllimit. Vetë Pjaniç ka pohuar (sipas “El Mundo Deportivos”) se nuk do të shkojë as në Premier Ligë, dhe as tek Paris SG, por vetëm tek Barcelona.
E vërteta është që këtë sezon, ai nuk ka qenë në maksimum dhe ka pasur kritika. Trajneri Sarri nuk ka mbetur plotësisht i kënaqur, madje është vlerësuar se niveli i Pjaniçit ka ndikuar që mesfusha e Juventusit të mos jepte rendimentin e duhur, dhe të mos bënte lidhjen e reparteve. Pra, përse Barça beson se boshnjaku do të jetë sukses, ndërsa në Serinë A është “shigjetuar”? Me shumë mundësi, besohet që Pjaniç mund të luajë më mirë me skemat e Kike Setienit, dhe se përvoja e tij do të ndihmojë yje të rinj si Riki Puig. Për më tepër, me një gjeni si Mesi në krah, mesfushori mund të kombinojë shkëlqyeshëm.
Sfidanti.al