PSG i kthehet “pistës Obamejang”, çdo të bëjë Interi me Ikardin?!

Në treg dihet që nuk ka ndonjë besnikëri, por shihet mundësia më e mirë. Në futboll po ashtu dhe tek Paris SG duket se po e braktisin pistën e Mauro Ikardit për të synuar Pjer-Emerik Obamejangun. Të paktën, mediat britanike shkruajnë se klubi francez mund t’i ofrojë 45 milionë paundë stërlina Arsenalit (rreth 55 milionë euro), duke përfituar edhe nga fakti se sulmuesi afrikan ka edhe vetëm 1 vit të mbetur në kontratë. Interi kërkon 70 milionë euro për kartonin e Ikardit (ndoshta mund të ulet deri në 60), ndërsa nuk kuptohet nëse lajmet për Obamejangun janë të vërteta apo thjesht një mënyrë e Leonardos për t’i bërë presion Bepe Marotës?

Obamejangu, madje, mund të kushtojë edhe më pak, deri në 44 milionë euro (36 milionë paundë stërlina), ndërsa në “Emirejts” ka qenë një sukses me 61 gola të shënuar në 97 ndeshje. Ai cilësohet si më i kompletuar sesa Ikardi, ndonëse argjentinasi është tepër i zoti në zonën e rreptësisë. Për më tepër, “shoqëria” e Obamejangut është më e qetë, në krahasim me Uanda Narën, gruan dhe agjenten e Mauritos. Klauzola e huazimit të Ikardit përfundon në 31 maj, ndonëse mund të zgjatet me marrëveshje, meqë Championsi është shtyrë për në gusht. Ai ka shënuar 20 gola në 31 ndeshje tek PSG-ja, por kohët e fundit nuk ka luajtur shumë.

Sfidanti.al