Si basketbollist thuajse ishte harruar, veçse aspak si trajner. Nuk mund të jetë ndryshe për një si Stiv Kerri, tekniku i Golden Stejt Uorriorsit, që fitoi 3 tituj kampion në NBA duke drejtuar yje të tillë si Stefën Kërrin, Klej Tompsonin, Drejmond Grinin dhe Kevin Durantin. Gjithsesi, Kerri ka qenë edhe lojtar dhe madje ka pasur sukses, ndonëse nuk ka qenë i përmasave trupore apo talentit si Majkëll Xhordani e Skoti Pipeni, dy ish-shokët e tij të skuadrës tek Çikago Bullsi.
Ashtu trupvogël, me një baba të vrarë në Liban kur ai ishte 19 vjeç, dhe pa shumë talent, Kerr çau rrugën drejt majave të NBA-së, dhe fitoi respektin e shokëve. Ai pati guximin të përballej në stërvitje me vetë Xhordanin, duke u shtyrë e u grindur, duke e goditur në gjoks e duke marrë grusht në fytyrë, por kështu ndodh me njeriun. Fiton respektin kur tregon se di të luftojë. Si basketbollist, Kerri mbetet i vetmi në NBA që fitoi 4 tituj radhazi, që nga koha e Bill Rasëllit, në më shumë se 50 vjet. Tre radhazi me Çikagon në 1996, 1997 e 1998, dhe një me San Antonion në 1999. Në 2003 fitoi edhe titullin e pestë si lojtar me San Antonion, duke pasur gjithsej 8 kampionate si lojtar dhe trajner. Tepër të paktë janë ata që ia kanë dalë, apo kanë bërë më shumë në histori.
Sfidanti.al