Roma nuk arriti që ta thyente rezistencën e Kievos, duke lënë dy pikë të çmuara jashtë fushës së vet, dhe “fajtor” kryesor për këtë, pa asnjë dyshim, është portieri Stefano Sorentino me pritjet e tij spektakolare. Ky portier 38-vjeçar me përvojë të madhe, me të vërtetë, bëri mrekullira në portën e tij, duke i çarmatosur sulmuesit romanë që shihnin njëri-tjetrin të habitur e me mosbesim dhe, me pritjet e tij të pazakonta, ai u bë hiti kryesor në opinionin publik sportiv të Italisë që u entuziazmua në kulm nga performanca e këtij portieri.
Sorentino bëri disa ndërhyrje fantastike, duke pritur, madje, edhe topa që dukeshin se me siguri do ta tundnin rrjetën e portës së tij. Për t’u përmendur është, sidomos, një rast i Romës në min. e 81-të, kur një top i gjuajtur nga një futbollist i saj u duk se po shkonte drejt rrjetës, por Sorentino e nxori atë jashtë me thembër në momentin e fundit.