Nëse Feliks Magat nuk ka ndonjë mendim shumë të lartë për Pepin, trajneri katalanas vlerësohet shumë nga një ish-kampion që sot ka hyrë në rrugën e profesionit të stolit. Ky është Andrea Pirlo, tekniku “taze” i Juventusit, që thekson se Guardiola duhet të jetë një shembull për të gjithë ata që duan të kenë sukses në këtë rrugë. Përveç katalanasit të Sitit, Pirlo veçon si shembull edhe Kristiano Ronaldon, 35-vjeçarin që e ka në skuadër ende si futbollist. “Dua që të kemi një model loje dominues në çdo zonë të fushës dhe në çdo moment, – thotë Pirlo, – kur e lashë futbollin nisa studimet. Në karrierë kam pasur trajnerë të mëdhenj që nga Luçesku, Lipi, Ançeloti, Konte dhe Alegri. Isha me fat. Guardiola është një shembull për të gjithë, një model për t’u ndjekur, edhe pse secili ka idetë e tij”. “Si trajner më vjen mirë që kam bashkëpunim nga ish-lojtarët që kam gjetur tek Juvja, – vazhdon Pirlo, – Kristiano Ronaldo është një shembull i futbollit botëror, më pëlqen shumë kur e shoh sesi luan dhe sesi stërvitet. Në moshën 35-vjeçare punon si ndonjë djalë i vogël”.
Sfidanti.al