Makineria polake e golave, Krishtof Piontek, mbasi pati një vjeshtë të hatashme me Xhenovën, qysh në fillim, duke luajtur tani me klubin shtatë herë kampion të Evropës, Milan, ka treguar se ai ishte zgjidhja e vërtetë për sulmin “kuqezi” dhe me dy golat që shënoi ai i dha ekipit të vet fitoren 3-1 kundër Atalantës së vështirë. Me shoun e tij të ri, ai që tani e shënoi emrin e tij në historionë e klubit milanez, ndërkohë që deri tani ai ka luajtur gjithsej vetëm 310 minuta, por ka shënuar gjashtë gola, diçka që nuk e ka bërë asnjë futbollist tjetër në historinë e lavdishme të këtij klubi. Pionteku ka shënuar gjashtë gola nga 18 gjuajtjet në portë që do të thotë një në tri gjuajtje të tij ka përfunduar në rrjetën e portës kundërshtare.
Madje, sa i përket këtij treguesi, Piontekun mund ta kenë zili legjendat më të mëdha të Milanit, Gunar Nordal, golashënuesi më i mirë në historinë e klubit që deri tani ka qenë rekordmen sa u përket golave që ka shënuar në sezonin debutues, Andrij Shevçenko, Xhani Rivera, Hoze Altafini, Marko Van Basten…
Rekordin e deritanishëm me gjashtë gola e ka pasur Nordali, por që t’i shënonte ata, atij iu deshën 419 minuta, ndërsa i treti tani është Mario Baloteli – gjashtë gola brenda 433 minutash. Futbollisti i ri polak gjatë këtij sezoni ka shënuar 17 gola dhe para tij ndodhet vetëm Kristiano Ronaldo me 19 gola në Serinë A.
Sfidanti.al