Edhe në një Seri A që po luhet “me pamje të ngadalësuara” (përjashto Juventusin), Milani nuk po arrin të ngjitet në vend të tretë. Edhe në garën e gabimeve me Interin, “kushërinjtë kuqezinj” sikur nuk duan ta parakalojnë rivalin dhe ja ku kaluan ndeshjen e tretë pa fitore. Pas dy humbjeve (Inter, Sampdoria), ia doli të merrte pikë në … “San Siro” ndaj Udinezes.
“Skifteri” i golit, Kristof Piontek, nuk mjaftoi këtë herë, edhe pse polaku e bëri të vetën, duke shënuar në minutën e 44-ët. Këtë herë, Kevin Lazanja bëri atë që bën gjithnjë në “San Siro”, ku shënon gol sa herë që luan titullar. Udineze mori pikën e rëndësishme për mbijetesën, ndërsa Milani jo vetëm humbi mundësinë për të kapur vendin e tretë, por edhe rrezikon shumë të katërtin, që do të thotë zonën Champions. Atalanta, Lacio e Roma janë shumë pranë.
Xhenaro Gatuzo ka rrezik të humbasë edhe dy lojtarë të rëndësishëm për duelin e radhës me Juventusin, pasi Donaruma e Paketa u dëmtuan. “La Gazeta delo Sport” vlerëson se Kutrone luajti shumë mirë për kuqezinjtë, por jo Bilia në regji. Tifozët ndërkaq janë hedhur në sulm kundër skuadrës: “Kemi rënë në gjunjë, një tjetër sezon i hedhur në kosh”!
Sfidanti.al