Përballja ndaj Veronës, Kumbulla do të donte qoftë edhe pak minuta ndaj ish-ekipit!

Këtë aventurë e nisi më së miri dhe shpreson të kthehet si pak muaj më parë. Marash Kumbulla u vlerësua si goditje e shkëlqyer e Romës që e mori ndaj Veronës, dhe sot shpreson që të jetë në fushë ndaj ish-ekipit të tij. Pas një fillimi vazhdimisht si titullar, dhe me dy gola të shënuar, mbrojtësi i kombëtares shqiptare kaloi koronavirusin dhe iu pakësuan shanset për të qenë në formacion.

Përveç kësaj, luan rol edhe mosha e tij mjaft e re, vetëm 20-vjeçare, dhe trajneri Fonseka po mbështetet më shumë tek treshja me më shumë përvojë Smolling-Ibanjez-Kristante Sidoqoftë, pasi e humbi përballjen e fazës së parë me Veronën, për shkak se nuk ishte ende gati, Kumbulla do të dëshirojë të jetë në fushë sonte në orën 20:45 në stadiumin “Olimpiko”. Në dy ndeshjet e kaluara, ato ndaj Specias në Kupën e Italisë dhe në kampionat, ishte pikërisht titullar, por Fonseka mund të mendojë që ta ulë në stol për t’i dhënë frymëmarrje.

“Një ndeshje e veçantë për mua, – shprehet qendërmbrojtësi, – Verona ishte shtëpia ime, ekipi ku unë nisa futbollin dhe u bëra i njohur. Me Veronën debutova në Serinë A dhe do të ishte kënaqësi të isha në fushë sërish me shokët e mi. Gjithsesi, i takon trajnerit që të vendosë”.

Kumbulla shkëlqeu sezonin e kaluar me veronezët e trajnerit Juriç, duke u bërë titullar fiks në moshën 19-vjeçare. Tek Roma natyrisht është më e vështirë pasi konkurrenca është më e madhe, por trajneri Fonseka thotë se të rinj si Kumbulla e Karles Perez janë gjithnjë një mundësi e madhe për ekipin e tij.

Sfidanti.al