Një Milan i çoroditur, por ndoshta po fillon ta ngrejë kokën!

Sa vështirë t’i vendosësh një notë me bindje kësaj skuadre, këtë sezon.Trajneri Marko Xhampaolo po punon si i ndërkryer, dhe padyshim është shumë i përgatitur, veçse që të vësh në lëvizje një “anije” si Milani, qenka shumë e vështirë. Gjithsesi, fitorja 2-1 në fushën e Xhenoas lehtëson presionin, edhe pse nuk kënaq plotësisht as tifozët më fanatikë, që zakonisht janë më të verbërit për të parë gabimet e idhujve të tyre.

Ishte një ndeshje e çuditshme e Serisë A, ku portieri i Milanit, Pepe Reina, gaboi rëndë në pësimin e golit të epërsisë gjenoveze, me anë të Lase Shënes. Teo dhe Kesi (me penallti, ky i fundit) përmbysën shifrat për kuqezinjtë, Reina sërish gaboi (për fat, pa gol), ndërsa në fund u bë hero duke pritur penalltinë e Shënes. Shkëlqim i brazilianit Paketa pas pushimit, por ndeshje shumë e dobët, sërish, për turkun Çalhanoglu.

“Tri pikët janë shumë të rëndësishme, – pohoi trajneri Xhampaolo, – por, duhet që të përmirësohemi ndjeshëm”. Milani, natyrisht nuk është krijuar thjesht që të fitojë ndonjë ndeshje, por që të sigurojë të paktën kualifikimin për në Champions, diçka që për momentin duket ende tepër e vështirë.

Sfidanti.al