“Milioneri” Konte, dhimbje koke për sulmin e Interit!

Mund të quhen probleme “të ëmbël”, por që mund të dalin tepër të hidhur. Interi ka 3 lojtarë shumë në formë në repartin sulmues dhe trajneri Konte duhet të vendosë se cilët prej tyre duhet të jenë dy titullarët. Skemat e italianit janë të qarta, ai nuk mund të luajë me 3 sulmues, siç bën Barcelona apo Klopi tek Liverpuli, dhe “skartimi” do të kapë ose Lautaro Martinezin, ose Aleksis Sançezin. Për momentin, dhe për karakteristikat fizike, Romelu Lukaku duket se e ka të sigurt formacionin.

Mediat italiane shkruajnë se Lautaro Martinez i dha një dhimbje të fortë koke trajnerit të tij, pasi shkëlqeu për Argjentinën ndaj Meksikës, duke shënuar 3 gola e duke shërbyer një asist. Sançez, ndërkaq, vjen me shumë pretendime nga Mançester Junajtidi, dhe padyshim që kërkon të luajë, por tashmë i takon “të hekurtit” Konte që të vendosë. Shpresa është që të ketë rotacion, herë pas here, ndryshe mund të ketë “buzë të varura” dhe konflikte në skuadër.

Sfidanti.al