U lind në Komo, jo shumë larg nga Milano. Në moshë të vogël luajti minifutboll (futboll me nga pesë), ndërsa në moshën 8-vjeçare jeta e tij sportive mori kthesën e madhe. Patrik Kutrone u bë pjesë e Akademisë së Milanit. Ishte viti 2006, koha e artë e skuadrës së Karlo Ançelotit, me Pirlon, Nestën, Gatuzon, Zedorfin, Kakanë apo Inzagin dhe për fëmijën Patrik ishte gjë e madhe të vishte fanelën kuqezi.
Sot, legjendat e përmendura më sipër janë larguar, ndërsa publiku në “San Siro” pret “Mesinë” e radhës, “profetin” që do të sjellë fjalën e “Zotit”, pra që do të sjellë lavdinë dhe trofetë. Patri Kutrone, sot 20 vjeç, është në rrugën e duhur. Dy golat e shënuar në portën e Spalit ishin thjesht treguesi i radhës se çfarë talenti ka në përbërje skuadra e trajnerit Xhenaro Gatuzo.
Kutrone ka shënuar 5 gola deri tani në këtë sezon të Serisë A, në 16 ndeshje të luajtura. Ai ka shënuar dy gola në 3 ndeshje të Kupës së Italisë, si dhe 5 gola në Ligën e Europës në 9 sfida që ka qenë në fushë. Krajova, Shkëndija e Tetovës apo Rijeka e provuan golin e tij, po ashtu si Interi në çerekfinalen e Kupës së Italisë. Sulmuesi shtatlartë 1.83 metra ka realizuar 31 gola në 62 ndeshje për kombëtaret e Italisë në të gjithë nivelet, nga U15 deri në U21.
Sfidanti.al