Kur një skuadër është me dy lojtarë më pak në fushën e lojës, mezi pret që të mbyllet ndeshja që të shpëtojë, ose ndoshta i ka pësuar nja dy gola. Milani që u pa në Bolonjë nuk është i kësaj kategorie. Skuadrës së Vinçenco Montelës sikur i bënte mirë çdo futbollist i përjashtuar. Gabriel Paleta u largua nga gjyqtari në minutën e 37-të, pastaj Juraj Kuçka në të 59-ën dhe gjithkush ishte gati të vinte bast për fitoren e bolonjezëve, kur papritur djaloshi i ri Mario Pashaliç tundi rrjetën. Ishte minuta e 89-të dhe nuk kishte më kohë për reagim.
Milani triumfoi në një ndeshje të Serisë A që pati edhe 11 kartona të verdhë (gjysma e lojtarëve në fushë), dhe i dha fund periudhës së zezë. Suksesi do të thotë se kuqezinjtë u ngjitën në kuotën e 40 pikëve, por janë ende në vendin e 7-të, plot 8 pikë larg zonës Champions, me Napolin që mban vendine tretë me 48 pikë. Gjithsesi, Montela duhet të ketë marrë zemër, sidomos nga prova e shkëlqyer e katalansit Deulofeu.