Milan bën zgjedhjen; Simone Inxagi do të jetë trajneri i ri…me lejen e Lotitos

Simone Inxagi po vrapon me shpejtësi drejt stolit të Milanit. është pikërisht ai zgjedhja e parë e kuqezinjve për të zëvendësuar Xhenaro Gatuzon. Emri i trajnerit aktual të Lazios u përmend pikërisht nga Paolo Maldini që mesa duket ka marrë përsipër të hyjë personalisht në tratativa. Por në këtë pikë, Milanit i duhet të bëjë një veprim ekstra për të firmosur me Inxagin; të lirojë atë nga impenjimet me Lazion, një operacion që kërkon të kryhet me shumë kujdes duke ditur aftësitë e Lotitos për të administruar negociatat

Javën e kaluar, Inxagi dhe Lotito u u takuan 3 herë, por pa mundur të gjejnë asnjë lloj akordi, as për largimin e as për rinovimin e kontratës. Ndërkohë vlen të theksohet se vetëm para dy ditësh nuk ka pasur asnjë ofertë për Inxagin dhe ekzistonte vetëm një sondazh i Juventusit edhe pse nuk ishte zgjedhja e parë e bardhezinjve.
Por tani gjërat janë ndryshe. Milani është gati t’i ofrojë një kontratë 3 vjecare me 2.5 milionë Euro në sezon, shifër që Inxagi ia kërkoi Lazios. Duke marrë parasysh kohën teknike, mund të mendohet se fillimi i javës së ardhshme mund të jetë momenti i akordit mes Inxagit dhe Milanit

Maldini zgjodhi Inxagin dhe si alternativë të vetme ndaj tij kishte Marko Xhampaolon i cili ka marrë edhe një ofertë nga Roma, ndërkohë që kandidaturat e tjera ranë njëra pas tjetrës. Ndërkaq vetë Maldini duhet të largojë cdo dileme për rolin e ri që i është ofruar; atë të Drejtorit Teknik dhe në pritje të kësaj, Milani mendon për rikthime të tjera në radhët e tij. Billi Kostakurta mund të hyjë në rolin e menaxherit të klubit, ndërsa në Milanelo mund të rishfaqet Daniele Tonjacini, përgjegjës i Milan Lab së bashku me Dr.Rodolfo Tavana dhe Shad Forsjath në rolin e koordinatorit të përgatitësve atletikë.

sfidanti.al