Lukaku, kur Interit edhe 78 milionë euro shpenzim i duken pak!

Pasi shënoi 34 gola në 51 ndeshje sezonin e kaluar, këtë herë ka shpërthyer krejtësisht. Romelu Lukaku është në edicionin e jetës me 11 rrjeta në vetëm 12 ndeshje dhe me Interin që po i duken pak 78 milionët e eurove që do t’i kushtojë në total kartoni i tij. Sulmuesi belg ka 4 gola në 4 ndeshje në Champions, aty ku zikaltërit duan të ecin përpara, ndërsa ka edhe 7 gola në 8 ndeshje në Serinë A, ku lombardët janë 5 pikë prapa Milanit duke qenë në vend të dytë.

Vërtet që klubi milanez shpenzoi shumë për kartonin e Lukakut, por përfitimet pritet të jenë më të mëdha, dhe sidomos falë tij. Gati 60 milionë euro u fituan sezonin e kaluar nga kontinenti, pas pjesëmarrjes në Champions dhe në Ligën e Europës. Këtë sezon, në rast kualifikimi, fitimet do të ishin edhe më të mëdha sepse zikaltërit do ta shikonin veten në shkurt-mars në Ligën e Kampionëve.

Sfidanti.al