Kundërshtoj Napolin se i hyri frika, pasi pa serialin kriminal “Gomora”!

Ndodh edhe kështu. Napolitanët nuk arritën që t’ia mbushnin mendjen futbollistit të Lionit, Korentin Toliso, që të nënshkruante kontratë me klubin e tyre, sepse atij i hyri frika për jetën e tij në Napoli, pasi pa serialin televiziv kriminal italian, “Gomora”! Klubi i “San Paulos” u përpoq, verën e kaluar, që të sillte në radhët e veta këtë mesfushor 24-vjeçar të Lionit. Por bisedimet dështuan dhe, tani, ka mundësi që Toliso të përfundojë te Juventusi i Torinos në kuadrin e një kontrate me vlerë prej 40 milionë eurosh. Si një nga shkaqet e dështimit të transferimit të tij te Napoli përmendet seriali televiziv mjaft i njohur, “Gomora”, që tregon për kriminalitetin e organizuar, veprimtarinë e gangsterëve e të dilerëve të drogës dhe jetën e njerëzve të thjeshtë në Napoli.

Toliso, mbasi pa serialin kriminal të lartpërmendur, u frikësua dhe ndërroi mendje! “Ai ishte fare pranë transferimit në Napoli, por dikush e frikësoi djaloshin, duke i thënë se jeta në Napoli është plot rreziqe”, vuri në dukje agjenti i tij, Frederik Guera, duke shtuar se “unë e di se Napoli është një qytet i mrekullueshëm, por Korentinin e frikësuan me ‘Gomorën’ dhe historitë për aktet e dhunës në atë qytet”.

Sfidanti.al