I kënaqur dhe i dëshpëruar, por i ndërgjegjshëm për limitet e skuadrës së tij. Antonio Konte e ka këtë të mirë, që nuk alarmohet më shumë sesa duhet, dhe Interi po ia shpërblen, edhe pse ndonjëherë humb. Duke analizuar disfatën në fushën e Lacios, ish-trajneri i Juventusit dhe i Italisë, u përpoq të fliste me ekuilibër. “Asnjëra skuadër nuk e dominoi tjetrën, – tha ai, – por, shpesh nuk jemi të qetë. Na ka ndodhur edhe herë tjetër që të jemi përmbysur (si në Dortmund apo Barcelonë), por kjo bën pjesë në procesin e rritjes. Skuadra u përpoq dhe dha maksimumin, ndonëse rezultati nuk më pëlqeu, dhe as mënyra sesi i pësuam golat”. Trajneri zikaltër veçoi pjesën e dytë, ku skuadra nuk hyri me mentalitetin e duhur, ndonëse nuk është mësuar ende të luftojë në këto lartësi, në një sfidë direkte për titull. “Djemtë po punojnë shumë, janë përmirësuar, por duhet të rritemi edhe si personalitet”, – përfundon Konte.
Sfidanti.al