Fiorentina nuk është nga ato skuadra që mposhtet lehtë, por kur Roma është në formën e saj më të mirë, edhe Juventusi apo Interi e kanë të vështirë ndaj saj. Në “Olimpiko”, në përballjen e fundit të javës së 23-të të Serisë A, verdhekuqtë ishin të papërmbajtshëm duke fituar 4-0 dhe duke u ngjitur sërish në vendin e dytë. Edin Xheko, si gjatë gjithë këtij sezoni, ishte protagonist, pasi boshnjaku shënoi dy gola. Trajneri Luçiano Spaleti që luajti me skemën 3-4-2-1, me El Sharauin e Naingolanin prapa Xhekos, u shpërblye edhe me golat e tjerë realizuar nga Facio dhe pikërisht nga Naingolan.
Fiorentina ndjeu mungesën e sulmuesit Kaliniç, ndërsa Bernardeski e Kieza nuk hynë dot në ndeshje. Roma ka tani 50 pikë, 4 prapa Juves (që ka një ndeshje më pak) dhe dy pikë mbi Napolin. Xheko arriti në 17 gola këtë sezon të Serisë A, duke kaluar napolitanin Mertens dhe duke qenë kryegolshënuesi i kampionatit. Trajneri Spaleti u shpreh i kënaqur pas fitores dhe tha se “Juventusi e Napoli na detyrojnë që të fitojmë gjithmonë”.