Mungesat ishin të shumta, mjaft të llogariten: Imobile, Luis Alberto, Parolo. Lacio i ndjeu edhe pse përballë kishte një kundërshtar le të themi modest si Empoli, por gjithsesi objektivi u arrit. Me Tomas Strakoshën në portë dhe me ekuadorianin Felipe Kaisedo në sulm, bardhekaltërit fituan minimalisht 1-0 dhe u ngjitën në vendin e katërt, në zonën Champions, edhe pse me një ndeshje më shumë sesa kundërshtarët.
Kaisedo shënoi me penallti në minutën e 42-të, ndërsa Lacio, edhe pse nuk shkëlqeu, nuk lejoi shumë rreziqe në portën e Strakoshës. Gardiani i kombëtares shqiptare pati vetëm një moment të rrezikshëm në 72’, kur ndërhyri me grushta duke larguar topin. Me këtë sukses, Lacio ka 38 pikë, ndaj 36 të Milanit e 35 të Romës, por që kanë një ndeshje më pak.
Sfidanti.al