Sjellja e tij në stadiumin “Bentegodi” të Veronës nuk u pëlqeu të gjithëve. Nuk flasim për racistët që ofenduan Mario Balotelin, as për kreun e ultrasve që nuk e quajti tërësisht italian, madje as për ish-ministrin e brendshëm Salvini, që justifikoi sharjet ndaj Balos me shqetësimet që kishte për papunësinë në Itali. Po flasim për tifozë që mund të quhen internacionalistë, ultras të Breshës, dhe që SuperMario nuk i ka bindur.
“Jemi skajshmërisht të bindur se Baloteli është italian në gjithë kuptimin e kësaj fjale, madje edhe breshan, – shkruan publikisht grupimi “Bresha 1911-Ish-tribuna e Veriut”, – por, ai duhet të na bindë për diçka, ai duhet të impenjohet po aq sa shokët, në mos edhe më shumë. Duam të shohim lojtarin që gjatë verës deklaroi se ishte bërë njeri tjetër, se e donte qytetin dhe se do të ndihmonte që historia e klubit të ndryshonte për mirë”.
Sfidanti.al