Juventusi shënon 4 gola në Kupë, por që të gjithë flasin për Dibalën!

Kapiteni e realizoi rrjetën e tij dhe duket se e ka kthyer fletën, duke luajtur rregullisht e duke qenë konkret. Është pikërisht ai lloj lojtari që Juventusi kërkon për t’i dhënë kontratën, ndërsa Paulo Dibala shënoi golin e tretë në fitoren 4-1 ndaj Sampdorias në Kupën e Italisë. Do të thotë kualifikim në çerekfinale, por edhe një nga rastet e rralla (në mos i vetmi) këtë sezon që shënohen 4 gola nga një ekip që është kritikuar rëndëshëm për “sterilitetin” para portës. Gjithsesi, trajneri Alegri nuk pati mundësi të kënaqej aq shumë sepse çështja kryesore mediatike mbeti ajo e rinovimit të Dibalës. Drejtuesi Arrivabene u detyrua të shmangej nga përgjigjja me një deklaratë pa shumë stil se “nuk e pashë, i kisha sytë diku tjetër”, kur u pyet se çfarë mendon për shikimin e akullt të Dibalës drejt tribunës VIP pas golit javën e kaluar në Serinë A. “La Gazeta delo Sport” thumbon se Juventusi ka nevojë për një tjetër Bepe Marota, ndërsa komenti i të përditshmes ishte se “rasti i Dibalës nuk është diçka që duhet t’i ndodhë Juventusit”.

Sfidanti.al