Goditja pritej dhe sot u realizua. Kukësi mori një përforcim të rëndësishëm në garën për titull këtë sezon në Abisnet Superligë, duke firmosur kontratë me sulmuesin Vasil Shkurtaj. Vlonjati 29-vjeçar nënshkroi sot në prani të drejtorit sportiv, Pero Pejiç, dhe marrëveshja është 6-mujore, pra deri në fund të edicionit, me të drejtë rinovimi edhe për vitin e ardhshëm. Shkurtaj ishte një nga sulmuesit më të dalluar në kampionatin shqiptar, në të cilin luajti për 4 sezone.
Ai u aktivizua me Luftëtarin e Gjirokastrës për 2 edicione, dhe pastaj për 2 të tjerë me Kukësin, në periudhën 2017-2020, duke ndihmuar gjirokastritët që të kualifikoheshin në Europë, si dhe kuksianët në garën për titull me Partizanin. Në total, 29-vjeçari realizoi 40 gola në 79 ndeshje, ndërsa në të kaluarën luajti në Greqi për ekipe të ndryshëm si Panionios, Niki Volos, Asteras Tripolis, Ksanthi apo Aris. Gjatë gjithë karrierës, vlonjati u dallua si një sulmues i fortë që di të shënojë dhe të ndihmojë ekipin për të fituar.
Së fundmi, Shkurtaj luajti për dy sezone në kategorinë e dytë në Kinë, me ekipin Xhian Hsi Beidamen, në të cilat luajti 11 ndeshje dhe shënoi 1 gol. Kukësi është në vendin e dytë në Superligë duke zhvilluar një sezon shumë të mirë deri tani, edhe pse luan vazhdimisht jashtë fushe, ndërsa shpresa e presidentit të nderit, Gjici, e trajnerit Longo dhe e tifozëve është që të fitohet titulli.
Sfidanti.al