Udineze nuk rezistoi dot në Torino, edhe pse “Mbreti” ishte lënë pushim. Kristiano Ronaldo e ndoqi ndeshjen e Serisë A nga stoli, pasi Maks Alegri deshi ta ruante për duelin vendimtar të sezonit, atë ndaj Atletikos së Madridit të martën në Champions. Rolin e CR7-ës dhe të Dibalës, gjithashtu në stol, e mori adoleshenti Moizes Kin që shënoi dy gola në fitoren 4-1. Juventusi u shkëput, të paktën përkohësisht në 19 pikë diferencë me Napolin e vendit të dytë, ndërsa synon ta mbyllë kampionatin pa humbje.
Gjithsesi, atmosfera në “Alianc Arena” nuk ishte aspak e mirë, pavarësisht fitores bindëse. Dy grupe tifozësh u përplasën me njëri-tjetrin në distancë, duke krijuar një lloj “lufte civile”. Tribuna e Jugut, me emrin Gaetano Shirea (tribuna e ultrasve), po bënte grevë për shkak të rritjes së çmimit të bilevave. Në minutën e 39-të, në stadium u kujtua tragjedia e “Hejselit” ku humbën jetën 39 tifozë, dhe ultrasit e Tribunës së Jugut brohoritën. Si përgjigje, pjesa më e madhe e tifozëve të tjerë i vërshëllyen ultrasit, të cilët iu përgjigjën në kor “Juventusi jemi ne”, “jeni një publik m…”!
Sfidanti.al