Juve sulmon për Vllahoviçin, por Siti mund t’ia prishë “ëndrrën”

Sulmuesi 21-vjeçar i Serbisë është një nga “objektet” më të dëshiruara në futbollin europian sot për sot. Fiorentina e mbajti Dushan Vllahoviçin gjatë kësaj vere, duke kërkuar një shumë tepër të madhe, ndërsa kriza financiare dhe kombinimet e ndryshme në treg nuk lejuan transferimin. Gjithsesi, vera e ardhshme vjen shpejt dhe Juventusi është hedhur në sulm për sulmuesin “vjollcë”. Lajm i mirë për piemontezët është që (sipas mediave), Atletiko e Madridit ka hequr dorë, por rreziku i madh e ka emrin Mançester Siti. Pep Guardiola e vlerëson Vllahoviçin, dhe çmimi i kërkuar nga Fiorentina prej 60 milionë eurosh nuk është diçka e pamundur për t’u paguar nga klubet angleze. Juventusi e ka më të vështirë, edhe pse do ta bënte një sakrificë. Po ashtu, rroga 6 milionë euro është e përballueshme për të dy klubet, ndonëse Siti mund të ofronte më shumë. Shumë do të varet nga vullneti i vetë sulmuesit, si dhe nga strategjia e Pep Guardiolës.

Sfidanti.al