Interi vërshëllehet në “San Siro”, tani 5 pikë prapa … Spalit!

Tifozët interistë nuk mundën të duronin më shumë. Skuadra e tyre e zemrës, “Interi i çmendur”, këtë kampionat duket se po i çmend pa kaluar mirë dy javë, ndërsa po mbetet në bisht. Formacioni me shumë pretendime i trajnerit Luçiano Spaleti, pasi humbi ndeshjen e parë në fushën e Sasuolos, dorëzoi dy gola epërsi në “San Siro” ndaj Torinos, në një barazim 2-2.

Vërshëllimat ushtuan në stadiumin mitik milanez, ndërsa zikaltërit dolën me kokën ulur. Perishiç e De Vraj u duk se e bënë ndeshjen “autostradë” për vendasit, por për Interin asnjëherë nuk mund të flasësh para kohe. Një tjetër shembull, në krahun e kundërt, se sfidat në Serinë A nuk marrin fund me rezultatin 2-0 (dëgjon, Sarri!).

Torino reagoi pas pushimit dhe Beloti e Meite barazuan llogaritë për djemtë e Valter Macarrit. Tashmë, Interi ka vetëm 1 pikë, duke qenë 5 pikë prapa jo vetëm nga Juventusi e Napoli, por edhe nga … Spali. Ekipi modest mundi Parmën 1-0, me gol të Mirko Antenuçit, duke arritur fitoren e dytë në dy ndeshje.

Sfidanti.al