Interi ka nevojë edhe për një fitore që të festojë Krishtlindjet!

Kanë kaluar 20 ditë nga suksesi i fundit, ndërsa nga festat e fundvitit na ndajnë shumë pak. Antonio Konte shpreson që Interi i tij të kthehet tek fitorja, e cila është e domosdoshme. Duhet të lihet pas periudha e “thatësirës”, të mbërrihen Juventusi në krye dhe të shkohet siç duhet te Krishtlindjet apo tek dita e Vitit të Ri. Natyrisht, ndaj Xhenoas problemet janë të shumta dhe Konte e di këtë.

“E kemi thënë gjithnjë se do të ishte e rëndësishme të arrinin në Krishtlindje me pozicion sa më të lartë në tabelë, – deklaroi trajneri zikaltër, – në 5 muaj kemi kaluar vështirësi të mëdha, por gjithçka po e përballojmë siç duhet. Lojtarët e kanë kuptuar situatën dhe kanë shtuar “xhirot e motorit”. Jam i lumtur për këta muaj, por le të bëjmë edhe një sforcim të fundit. Sa më e vështirë të jetë fitorja, aq më i madh është gëzimi për suksesin”. Mungesat do të jenë të shumta, me Brozoviçin e Lautaro Martinezin të pezulluar, por edhe me Barelën, Sensin e Aleksis Sançezin të dëmtuar.

Sfidanti.al