Vërtet Herta do të shpenzojë 45 milionë euro për Granit Xhakën?!

Nuk është shifër normale në Gjermani. Vetëm Bajerni mund t’ia lejojë vetes të shpenzojë kaq shumë, dhe Borusia e Dortmundit do të mendohej jo dy herë, por shumë herë. Gjithsesi, Herta e Berlinit duket se kërkon të tejkalojë traditën, dhe të jetë “dorëshpuar” për të marrë shërbimet e Granit Xhakës. Shqiptari i Zvicrës i ka kërkuar Arsenalit që të largohet, pas përplasjes me tifozët, dhe duket se trajneri i Hertës, Jurgen Klinsman, nuk ka frikë të japë 45 milionë euro për kartonin e tij.

Xhaka, 27-vjeçar, ka luajtur më parë në Bundesligë, për Borusian e Mynshengadbahut, por kryesuesit e kampionatit gjerman nuk po mendojnë për ta marrë përsëri. Ndoshta, trajneri Marko Roze, nuk është gati të paguajë kaq shumë. Vetë Arsenali është gati ta transferojë Xhakën, pasi dëshiron që tifozët të qetësohen, plus që oferta mund të jetë e mirë. Trajneri i ri, Mikel Arteta, dëshiron të mos ketë probleme gjatë punës së tij.

Sfidanti.al