Në krahasim me vjet është si nata me ditën. Interi i Kontes po kënaq edhe ata që nuk e duan, veçse trajneri zikaltër shqetësohet çdo ditë e më shumë që kalon, pavarësisht nga fitoret. Reagimi pas barazimit 2-2 me Parmën në “San Siro” erdhi, dhe milanezët triumfuan 2-1 në fushën e Breshës, një sukses jo edhe aq i lehtë, por Konte ia ka frikën lodhjes së lojtarëve të tij kryesorë. Në fushë ishin sërish të njëjtët, po ashtu edhe autorët e golave ishin të zakonshmit, Lautaro Martinez dhe Romelu Lukaku.
“Kemi luajtur 4 ndeshje në 9 ditë dhe unë nuk mund të kërkoja më shumë nga lojtarët e mi, – u shpreh Konte, – jam i lumtur me mënyrën sesi rezistuam duke sakrifikuar deri në fund. U kam dhënë futbollistëve një ditë pushim, dhe më pas do të kemi duelet radhazi ndaj Bolonjës, Dortmundit dhe Veronës”.
Drejtuesi i lartë, Bepe Marota, i dha të drejtë trajnerit dhe deklaroi se klubi do të përpiqet të sjellë përforcime në janar të vitit të ardhshëm. Interi ka 25 pikë në Serinë A, dhe është sfiduesi kryesor i Juventusit, veçse potenciali i zikaltërve është më i vogël sesa ai i bardhezinjve.
Konte ka në dispozicion rreth 15-16 lojtarë të nivelit të lartë, por për momentin të dëmtuar janë Aleksis Sançez, D’Ambrozio, Sensi e Vesino. Kjo do të thotë se lojtarët e formacionit janë të detyruar të luajnë thuajse gjithnjë.
Sfidanti.al