Ikardi po shkëlqen tek Paris SG, ndoshta sepse Uanda është në Milano!

Nga Interi u largua me ceremoni, pasi ia hoqën edhe shiritin e kapitenit. Tek Reali i Madridit thanë se ai është sulmues shumë i mirë, por sërish nuk mund ta marrin, ndaj Mauro Ikardi shkoi në Paris, tek PSG-ja. Sulmuesi argjentinas është një zbulim i Ligës së Parë franceze, me 7 gola në 7 ndeshjet e para për parizienët, duke treguar talentin që të gjithë ia njihnin, por ende jo problemet që e dëmtuam në Itali. Ikardi është kthyer  në partnerin normal të Kilian Mbapesë, ndërsa Edinson Kavani për momentin është në stol, ndërsa Nejmar ende i dëmtuar.

Përse, gjithçka po shkon për mrekulli për futbollistin, që vrapoi drejt Parisit për të qenë i dashuruar nga tifozët. Siç thamë, talenti nuk mungon pasi për Interin shënoi 124 gola në 219 ndeshje. Problemet, me gjasë, i pati nga e shoqja dhe agjentja e tij, Uanda Nara, e cila krijoi shqetësime me shokët e skuadrës (Perishiç), me drejtuesit e klubit (Marota, Zaneti), me trajnerin Spaleti, si edhe me kombëtaren e Argjentinës, ku Ikardi ftohej shumë pak. Për momentin, në Paris kjo nuk po ndodh, e ndoshta sepse Uanda po vazhdon punën në Milano, dhe nuk është bashkuar me të shoqin në Francë.

Sfidanti.al