Inter-Ikardi, përplasje kokë më kokë për të ardhmen

Rregulli numër 1 për transferimet në futboll është: “Mos forco kundërshtarin që ke pranë”. Pra, një yll nuk mund të largohet nga një skuadër për në një tjetër ekip brenda kampionatit. Mauro Ikardi dhe gruaja e tij, Uanda Nara, duan të bëjnë pikërisht këtë gjë, të largohen nga Interi për të shkuar tek Juventusi, veçse siç pritej klubi milanez është gati të kacafytet “sy më sy”, që kjo të mos ndodhë.

Sinjalet janë të gjithë që Ikardi nuk mund të mbetet zikaltër. Gruaja dhe agjentja Uanda ka folur qartë, ndërsa dihet se ajo dëshiron të mbetet në Itali, pasi punon edhe në televizionet italiane. Natyrisht, Marota apo Paratiçi nuk i qajnë hallin të ardhmes së Uandës, por merren me punët e tyre, ndërsa as presidenti apo pronarët e klubit nuk duan të forcojnë Juven. Ikardi e kupton se nuk do të ketë të ardhme të mirë në “San Siro”, edhe nëse vjen Antonio Konte në vend të Luçiano Spaletit.

Alternativa të tjera ka, pasi besohet se sulmuesi argjentinas pëlqehet nga Atletiko e Madridit (nga e cila largohet Grizman), por edhe nga Paris SG. Pritet të shihet sesi do të përfundojë lufta “kokë më kokë” mes Interit dhe Ikardit.

Sfidanti.al