Inter, çdo të thotë të punosh me Konten, dhjetëra telefonata në ditë

Luçiano Moxhi mbahet si rekordmeni i celularit në vesh për të folur me të gjithë dhe për gjithçka, veçse edhe Antonio Konte nuk është më pak. “La Gazeta delo Sport” tregon fjalët e drejtuesit të lartë të Interit, Auzilio, që thotë se “më telefonon 10 herë në ditë”. Konte, jo më kot quhet një “furi”, një njeri i stuhishëm, të cilin nuk e zë vendi derisa të arrijë qëllimin.

Ende pa nisur punën me skuadrën, dhe pa u prezantuar zyrtarisht (do të ndodhë në 7 korrik), ish-trajneri i Juventusit, Italisë dhe Çelsit, po projekton organikën e ardhshme. Deri tani ka ardhur vetëm mbrojtësi Diego Godin nga Atletiko, por shpejt priten Romelu Lukaku, Edin Xheko, Barela dhe dikush tjetër. Futbollistët duhet ta dinë se me Konten do të kenë djersitje të madhe, aq më shumë me përgatitësin atletik Pinto, të marrë nga Reali.

Trajneri ka bërë telefonata të shumta edhe me agjentë, apo lojtarë. Ka marrë shënim se ku do t’i kalojnë pushimet të besuarit e tij, sa kohë do të pushojnë, dhe i ka këshilluar për programin individual të përgatitjes fiziko-atletike. Do të ketë nga ata, që do të kthehen para kohe për të hequr ndonjë kilogram të tepërt. Ky entuziazëm ka prekur edhe tifozët me 35 000 abonime të shitura deri tani, ndërsa “tavani” është 37 500 ashtu si vjet.

Sfidanti.al