Njoftimi është i minutës së fundit, pra që Zhoao Feliks do të jetë lojtar i Atletikos së Madridit sezonin e ardhshëm. Sulmuesi 19-vjeçar i Benfikës ishte një transferim i rëndësishëm i bardhekuqve dhe i trajnerit Diego Pablo Simeone, por ishte edhe një vendim i menduar mirë nga adoleshenti portugez dhe agjenti i tij, Zhorge Mendez.
Mjaft klube të tjerë, si Reali i Madridit, Juventusi apo Mançester Siti (pa harruar Mançester Junajtidin) u interesuan për kartonin e tij, që i kushtoi Atletikos plot 120 milionë euro, aq sa ishte klauzola e transferimit. Përse Feliksi nuk shkoi në një klub më të madh sesa madrilenët e “Uanda Metropolitanos”?
Besohet se arsyeja kryesore që ai hodhi poshtë Zidanin, Guardiolën dhe Kristiano Ronaldo, kishte të bënte me garancitë për të pasur minutazh sa më të lartë, diçka që te “Atleti” duket se është me e sigurt. Po ashtu, duke qenë tepër i ri, ai do të ketë më pak presion dhe më shumë kohë për t’u pjekur përpara se të bëjë lëvizjen e madhe të radhës. Reali ishte gati të paguante 130 milionë për të, 80 milionë menjëherë, dhe 50 milionë me klauzola të ndryshme, diçka që “nuk piu ujë”.
Sfidanti.al