Yjet e Gjermanisë U21 janë që tani në “vitrinën” e futbollit

Kampionatet Europiane të moshave të reja janë një “trampolinë” e vërtetë për yjet e së ardhmes. Sidomos, kur këta janë nga 19, 20 apo 21 vjeç. Gazeta gjermane “Bild” (ajo që botoi përgjimet për politikanët tanë), bën një analizë të futbollistëve të U21-it “teuton” dhe shanseve të tyre për t’u bërë si Pirlo, Çeh, Mançini, Zidan, Fëler, Shuker, Figo apo Rauli.

Marko Rihter është sulmues 21-vjeçar i Augsburgut, që shënoi 2 gola në fitoren 3-1 ndaj Danimarkës. Ai ka kontratë deri në 2023, por mund të largohet nëse për kartonin e tij jepen 7 milionë euro (para e madhe për Gjermaninë). Portieri Aleksandër Nyber, 22 vjeç, shpreson një karrierë botërore. Ai është tek Shalke, por bën pjesë në listën e Bajernit si zëvendësues potencial i Manuel Nojerit, gjithashtu ish-portier i Shalkes.

Markus Shubert (21) është portier i Drezdenit në Bundesligën e dytë, dhe mund të jetë pikërisht pasardhës i Nyberit tek Shalke, ndonëse për të mund të mendojnë Arsenali dhe Shtutgarti. Mbrojtësi i qendrës Valdemar Anton (22) është tek Hanoveri dhe nuk dëshiron të luajë në kategorinë e dytë, veçse klubi kërkon 10 milionë euro për kartonin. Robin Kuk (22) luan për Frajburgun, por ka kërkesa të mëdha për të. Totenhemi dhe Valencia e ndjekin nga afër.

Timo Baumgartl (23) është një mbrojtës i pakënaqur tek Shtutgarti dhe synon një shans të mirë. Me 10 milionë euro kjo mund të bëhet dhe Timo shprehet se “po mendoj për hapin tjetër”. Nadiem Amiri (22) është organizator i Hofenhajmit dhe pëlqehet nga Leverkuseni dhe Volfsburgu. Levin Ëztunali (23), nipi i Uve Zelerit, mund të thuhet se e ka mbyllur etapën e tij tek Mainci. Augsburgu e pret “krahëhapur”.

Mahmud Dahud (23) është mesfushor i Dortmundit, por mbeti rezervë, ndërsa dëshiron të luajë. Pra një ndarje duket në horizont. Luka Valdshmit (23) i Frajburgut pëlqehet shumë nga Lajpcigu, por do të duhen 10 milionë euro. Së fundi, Ljuk Nmeça (20), një sulmues që mund të quhet një e panjohur e madhe (sipas “Bildit). Ai është nën kontratë me Mançester Sitin, por pëlqen të luajë në Bundesligë, ku mund ta marrë Mynshengladbahu.

Sfidanti.al