Kush nuk e mban mend skenën kur një Tomas Tuhel i furishëm kapi për shalli presidentin e Paris SG, Al Helaifin, siç duket si një kërkesë llogarie ekstreme. Ato ditë, gazetat franceze shkruanin se trajneri gjerman i kërkoi punëdhënësit të tij më shumë pushtet mbi lojtarët, diçka për të cilën publiku në përgjithësi ishte dakord. Bindja e përgjithshme ishte që PSG i toleronte pak si tepër yje të tillë si Nejmarin apo Mbapenë, në dëm të trajnerit.
Gjithsesi, gazeta “Lë Parizien” ka sot një tjetër histori. Sipas saj, drejtori i sapoardhur sportiv, Leonardo, paska vënë re një sjellje të skajshme liberale të Tuhelit pikërisht me Nejmarin. Gazeta “Bild” i referohet të përditshmes franceze dhe titullon se “Tuheli i jepte shumë salsiçe Nejmarit”, duke nënkuptuar se i bënte shumë favore. “Lë Parizien” shkruan se Nejmari shkeli disa herë disiplinën, por nuk u ndëshkua kurrë, ndryshe nga Rabio, Mbape, Areola apo Di Maria. Sipas saj, Nejmarit iu lejua favori për të shtyrë orarin e stërvitjes së skuadrës për shkak të jetës së natës, apo që ka ardhur vonë në stërvitje dhe ia ka hedhur “paq”. Gjithsesi, PSG ia rinovoi kontratën Tuhelit, pra nuk duket se ka mbetur i pakënaqur prej tij.
Sfidanti.al