I lodhur dhe i pazoti të driblojë, si do t’ia bëjë ky Interi?!

Trajneri Simone Inzagi e pranon gjendjen e vështirë fizike, ndonëse është i bindur se më e mira do të vijë. Interi ndihet i lodhur në prag të ndeshjes së sotme në fushën e Sasuolos (20:45) që nuk do të jetë aspak e lehtë për t’u luajtur e për t’u fituar. Barazimi i lodhshëm 0-0 në Kiev ndaj Shahtarit, plus udhëtimi relativisht i gjatë deri në kryeqytetin e Ukrainës e kthim, kanë bërë që Inzagi të jetë i shqetësuar. Do të ketë padyshim rotacion, por disa lojtarë nuk është e lehtë të preken. “Jemi të lodhur, dhe duhet të luajmë ndeshjen perfekte që të fitojmë, – thotë Inzagi, – gjithsesi, jam i bindur se më e mira do të vijë, bilanci ynë do të përmirësohet”. Nga ana tjetër, statistikat thonë se Interi ka një të metë të madhe, mungesën e aftësisë për të dribluar. Një nivel teknik aspak për t’u lavdëruar që në Serinë A lë pas vetëm Venecian dhe Fiorentinën. Një ish-interist që dinte të driblonte, Moriero, thotë se “lojtarët zikaltër duhet të kenë më shumë guxim”. Interi është në vend të tretë në Serinë A me 14 pikë ndaj 16 të Milanit e 18 të Napolit që kryeson.

Sfidanti.al