Administratori i deleguar i Juventusit, Bepe Marota, ka deklaruar dje se klubi bardhezi nuk është ankuar për asnjë episod të ndeshjes me Milanin, e fituar nga kuqezinjtë 1-0. “Nuk kemi protestuar. Në fund të ndeshjes kam pasur një ballafaqim të qytetëruar me arbitrin Ricoli. I kam shpjeguar këndvështrimin tim”. Më pas ka ardhur thumbimi: “Nuk kërkojmë justifikime. Juventus duhet të fitojë pavarësisht gabimeve të arbitrit”.
Marota ka folur edhe për projektin e rivalëve kuqezinj, duke thënë se: “Milani? I bëj komplimentet e mia, por Galiani ka qenë i detyruar të bëjë zgjedhjet që ka bërë, duke parë se nuk ka pasur në dispozicion shuma të mëdha për merkaton. Me të rinjtë nuk fitohet asnjë titull, mosha e madhe mesatare e ekipit tonë nuk është një limit, sot ka kampionë që luajnë deri në moshën 40 vjeç: ne jemi shumë të kujdesshëm te krijimi i një përzierje të duhur mes të rinjve dhe lojtarëve me eksperiencë. Shikoni Kin, që është vetëm 16 vjeç dhe mund të luajë si titullarë”.
Shefi juventin ka kërkuar të bëjë disa qartësime lidhur me shitjen e Pogbasë: “Oferta ka qenë 105 milionë euro dhe 5 milionë në formë bonusi në rast se lojtari rinovon me Mançester Junajtid, ose nëse shitet për një vlerë jo më të vogël se 50 milionë euro. Kemi bërë një plusvalencë prej 95 milionë euro në bilanc. Raiolës dhe shoqërisë së tij do t’i shkojnë 27 milionë euro. E llogaritur neto, plusvalenca për Pogbanë ka qenë 72 milionë euro.”