Në Serinë A këtë sezon sikur po bëjnë pak pushim, të ngarkuar fort në Champions dhe në Kupën e Italisë. Futbollistët e Atalantës po marrin pak frymë pas dy vjetësh e gjysmë me shpejtësi “skëterrë”, por kjo nuk po i pengon që të arrijnë suksese. Fitorja 3-1 ndaj Napolit në Bergamo i dha të drejtën të kualifikohen për në finale të Kupës, dhe Berat Gjimshiti ishte në formacion si përherë. Përballë tij ishte Amir Rrahmani, por suksesi i buzëqeshit mbrojtësit të Shqipërisë, jo atij të Kosovës.
Një Atalantë dominuese që kryesoi 2-0, dhe pastaj u rrezikua për t’u barazuar në 2-2, arriti të fitonte sepse ishte më shumë skuadër dhe falë një Pesine që shënoi dy gola. Zapata shënoi golin e parë, pastaj Pesina, ndërsa Lozano shkurtoi shifrat dhe Osimhen pati topin e barazimit. Sërish Pesina shënoi dhe vulosi ndeshjen në 78’, ndërsa Atalanta do të duhet të masë forcat në finale ndaj Juventusit. Dy vjet ëm parë e humbi finalen e parë në histori përballë Lacios në “Olimpiko” të Romës. Këtë herë shpreson të ndodhë ndryshe. Trajneri Gasperini theksoi se tani duhet të fitohet kupa, “diçka që mbetet”, ndërsa Gatuzo pranoi epërsinë e Atalantës: “Të kishte qenë ndonjë ekip tjetër, do të kishte pësuar 4-5 gola”.
Sfidanti.al