Vinçenco Montela po ecën shumë mirë në drejtimin e Milanit, por siç është tradita në klubin lombard, as ai nuk mund të shpëtojë pa një polemikë me presidentin Silvio Berluskoni. Debati nuk mund të jetë tjetër përveçse për lojën sulmuese. Bosi kuqezi gjithnjë ka dashur që Milani i tij të jetë ofensiv, dhe kërkesa për trajnerët ka qenë standarde: Luani me dy sulmues!
Si përgjigjet Montela? “Unë luaj me 3 sulmues”, – thotë trajneri i ardhur këtë verë, ndërsa ishte i ftuar në një program televiziv të RAI-t. Trajneri më pas tregon bisedën e parë me presidentin. “Herën e parë që ishim për darkë me Berluskonin, – rrëfeu ai, – bëri formacionin që i pëlqente më shumë, dhe të gjithë lojtarët ishin italianë. Silvio është kompetent për futbollin, dhe më pëlqen të bisedoj me të, pasi i kupton idetë e mia”.
Milani ka tani lojtarë të rinj dhe mjaft italianë. “Projekti ka nisur më herët, – pohoj Montela, – dhe Berluskoni ka kërkuar që të ndiqet hap pas hapi, edhe pse në futboll ka nxitim të madh”.