Fitoi Interi, por humbi futbolli, racizmi “këmbëkryq” në “San Siro”

Për ata që interesohen për futbollin, ndeshja në “San Siro” ishte një fitore e Interit, dhe një lehtësim i Juventusit. Napoli, skuadra numër 2 e Serisë A, u mund 0-1 dhe mbeti 9 pikë prapa piemontezëve në renditje, duke pasur më pak shpresë për të konkurruar për titullin. Zikaltërit, nga ana tjetër, arritën një sukses të rëndësishëm për besimin dhe për klasifikimin, duke forcuar pozitat në vend të tretë, e duke menduar edhe për të dytin.

Gjithsesi, përtej golit të Lautaro Martinezit në sekondat e fundit, ndeshja pati një tjetër “koment”, atë të ofendimeve ndaj mbrojtësit napolitan, Kalidu Kulibali. Koret raciste nga një pjesë e tifozëve interistë vazhduan gjatë gjithë kohës, aq sa trajneri Karlo Ançeloti kërkoi reagim nga gjyqtari.

“Tri herë kërkova që të ndërpriste ndeshjen, – u shpreh “Karleto”, – por, kjo nuk ndodhi. Herën tjetër do ta marrim vetë në dorë situatën, dhe do të refuzojmë që të luajmë”. Kulibali doli me karton të kuq në minutën e 81-të, duke ndihmuar Interin për të fituar, por Ançeloti tha se kjo ndodhi për shkak të nervave nga ofendimet. Vetë mbrojtësi, më i miri në fushë për Napolin deri në atë moment, dhe shprehur keqardhjen pas ndeshjes.

“Më vjen keq për humbjen dhe që i lashë vetëm vëllezërit e mi, por jam krenar për ngjyrën e lëkurës, krenar që jam francez, senegalez, napolitan, që jam njeri”.

Sfidanti.al