Shumëkush, besoj, e mban mend atë thirrjen e thekshme të një tifozi interist në sallën e gjyqit, në filmin e famshëm italian të tifozëve. “… Dhe penalltia ndaj Ronaldos, ishte”. Vetë “Fenomeni” duket sikur po ulëret me sa ka në kokë, duke risjellë në mendje kujtimet e tmerrshme të vjetra, të titujve të humbur në 1998 dhe 2002.
Sot, president i Vajadolidit në Spanjë, ai ka folur për arbitrat në La Liga, duke bërë një paralelizëm me Italinë. “U kam thënë lojtarëve dhe zotit Karlos Klos (përgjegjës i VAR-it në Spanjë), se unë e kam pësuar një konspiracion kur isha tek Interi, por që u zbulua, – ishin fjalët e brazilianit, – sot, nuk është më kështu, ndonëse do të doja që disa vendime (të gjyqtarëve) të ishin në favorin tonë”.
Ronaldo ishte protagonist i aksionit të famshëm (apo famëkeq, për tifozët zikaltër) me Iulianon e Juventusit, në ndeshjen e luajtur në Torino, ku Interi kërkoi penallti, por gjyqtari Piero Çekarini nuk e akordoi. Jo vetëm kaq, por një minutë më vonë, ai dha penallti në favor të Juves, që përcaktoi edhe fituesin e ndeshjes dhe, në një farë mënyre, edhe fituesin e titullit në 1998.
Çekarini ka deklaruar disa herë më vonë, se nuk do ta jepte kurrë penalltinë për Ronaldon, por tifozët e Interit e kanë akuzuar si vegël e juventinëve. Skandali i Kalçopolit u dha të drejtë disa vjet më vonë, për favoret e “Zonjës së Vjetër”, por tifozët milanezë mendojnë se padrejtësitë kanë ndodhur edhe përpara viteve 2005 e 2006.
Sfidanti.al