Etrit Berisha fiton përballjen me të kaluarën, shpreson mbijetesën në Serinë A!

Një përballje me të kaluarën. Kështu mund të quhet sfida që Etrit Berisha pati në fushën e Atalantës, në stadiumin ku mbrojti portën për disa vjet. Rikthimi aty doli I lumtur me portierin e kombëtares shqiptare që shkëlqeu për SPAL-in e Ferrarës, dhe me ndeshjen e Serisë A, fituar 2-1. Pavarësisht avantazhit të marrë nga Atalanta, falë golit vërtet të bukur të sllovenit Iliçiç, Berisha dhe SPAL-i nuk u dorëzuan, madje reaguan.

Ish-lojtari bergamask, Andrea Petanja, barazoi rezultatin për miqtë, ndërsa fitorja u arrit nga rrjeta e dytë, realizuar nga Matia Valoti. Një e papritur e madhe për skuadrën e vendeve të fundit të renditjes, ndaj ekipit që pretendon kualifikimin në Champions, dhe që është në turin e dytë të Ligës së Kampionëve. Duket se sukseset e mëdha të këtij sezoni, ishin pak si shumë për një klub pa traditë si Atalanta.

“Ne nuk ishim vetvetja në pjesën e dytë, – u shpreh trajneri Gasperini, – po ndikon lodhja sepse kemi qenë të ngarkuar këto kohë. Po ashtu, ndikuan mungesat në krahë dhe u detyruam të improvizonim. SPAL-i është një skuadër më e mirë sesa e tregon renditja, dhe luftoi më shumë se ne”.

Mediat theksuan faktin se Atalanta u mund nga ish-lojtarët e vet si Petanja, Berisha apo Kurtiç.  Gjithsesi, në fund, u desh një tjetër pritje e Berishës për të mos humbur tripikëshin, ndërsa Atalanta mori një goditje në synimet e saj për në Champions, duke mbetur tri pikë prapa Romës, në vendin e pestë. Spali ka shpresë për mbijetesë, duke pasur 15 pikë, jo larg Leçes dhe Sampdorias.

Sfidanti.al