Elseid Hysaj e ka ndarë mendjen: Sezonin e ardhshëm, jo tek Napoli!

Nuk e thotë me gojën e tij, por e ka vendosur me mendjen e vet, në këshillim padyshim me familjen dhe menaxherin. Është pikërisht ky i fundit që flet për të ardhmen e Elseid Hysajt, e cila tashmë është thuajse e sigurt se do të jetë larg Napolit. “Çështja e rinovimit është e mbyllur, – thotë Mario Xhufredi për “Radio Punto Novo”, – ne jemi të vetëdijshëm se do të jemi diku tjetër sezonin e ardhshëm, ndërsa Napoli mendon të shikojë për një lojtar tjetër”. Xhufredi shton se po flitet me klube të tjerë, siç është e drejtë për t’u bërë sepse Hysajt i kanë mbetur edhe pak muaj kontratë deri në qershor.

Zv. kapiteni i kombëtares shqiptare do të largohet kështu nga Napoli, ku po kalon sezonin e 6-të në karrierë. i sjellë nga ish-trajneri Mauricio Sarri, ai ishte tepër i rëndësishëm për shumë vjet, por gjendja ka ndryshuar në dy edicionet e fundit, sidomos me Karlo Ançelotin e më pak me Xhenaro Gatuzon. Mbrojtësi i djathtë nuk është i vjetër, vetëm 27 vjeç, por duket se klubi napolitan kërkon një tjetër lloj lojtari e ndoshta nuk dëshiron të shpenzojë shumë për pagën, aq sa kërkon Hysaj. Ai ka 10 vjet në futbollin italian të të rriturve, fillimisht me Empolin e pastaj me Napolin, ndërsa me kombëtaren e Shqipërisë ka luajtur 55 ndeshje.

Sfidanti.al