Edin Xheko më “vrasës” se kurrë, boshnjaku drejt rekordit!

Në moshën 30-vjeçare po u kujton të gjithëve atë lojtar që ishte 8 vjet më parë, kur sapo qe bërë i njohur. Edin Xheko shënoi dje në portën e Torinos (ndaj portierit Hart, që e shikojmë në foto), golin e tij të 19-të në Serinë A, duke qenë golshënuesi më i mirë i saj. Po ashtu, shënoi edhe rrjetën numër 29 të sezonit, që po shkon mirë e më mirë. Fitorja në kampionat 4-1 ndaj Torinos në stadiumin “Olimpiko” erdhi vetëm pak ditë pas suksesit 4-0 në Spanjë për Ligën e Europës.

Sulmuesi boshnjak, me shtatlartësinë e një basketbollisti (1.93 metra), po jeton rininë e tij të dytë dhe mund të thyejë rekordin e karrierës. Numrin më të madh të golave në një edicion e vendosi kur ishte tek Volfsburgu në 2008-2009, kur doli kampion i Bundesligës. Këtë sezon ka 29 kur duhen ende shumë takime deri në përfundim dhe besohet se Xheko do të arrijë të realizojë edhe të paktën 8 gola të tjerë.

Futbollist me shumë përvojë, kampion i Gjermanisë dhe dy herë kampion i Anglisë me Sitin, ai do të ndihmojë Romën që të luftojë për titullin, por gjithsesi do të ishte i kënaqur edhe me kualifikimin për në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Sfidanti.al