I sigurt që nuk luan është një italian, pikërisht mbrojtësi Bastoni, por ka edhe të tjerë që janë në dyshim. Për fatin e keq të skuadrave europiane, disa nga yjet e tyre më të mirë janë nga Amerika e Jugut, dhe ndeshjet e fundit të Botërorit përtej Oqeanit prishën shumë punë. Përveç Juventusit që nuk i mori fare me vete futbollistët latinoamerikanë për ndeshjen në Napoli, ja ku kemi edhe trajnerin e Interit, Simone Inzagi, që ndihet keq. Korrea dhe Lautaro Martinez, dy sulmues kryesorë, bashkë me Edin Xhekon, nuk japin garanci të plota për sfidën e së dielës ndaj Sampdorias në orën 12:30 në Serinë A. Këta mund të aktivizohen vetëm për një periudhë të caktuar, ndërsa Bastoni është kthyer tepër i lodhur nga kombëtarja italiane. Gjithsesi, në pozicionin e Bastonit, trajneri thotë se ka disa alternativa si Kolarov, D’Ambrozio e Dimarko. Me gjasë, në të djathtë do të luajë Darmian, dhe jo Dëmfris, pasi holandezi ndoshta nuk është në 100 për qind të formës. Skema mund të jetë 3-5-1-1 me Perishiçin dhe Sensin në mbështetje të Xhekos ne sulm. Në mbrojtje, enigmë kush do të jetë në krah të De Vrajit dhe Shkriniarit.
Sfidanti.al