Një mbrojtës u bë sulmues dhe një sulmues u bë shpëtimtar për trajnerin e tij. Xhorxho Kielini dhe Mauro Ikardi ishin protagonistët kryesorë të javës së 10-të të Serisë A. Shtylla e kombëtares së Italisë realizoi dy herë në Torino në fitoren e thellë të Juventusit ndaj Sampdorias, 4-1. Manxhukiç shënoi i pari, Pjaniç (që u mendua se nuk do të luante) shtoi edhe ai një gol, ndërsa miqtë e trembën Juven me shkurtimin e diferencës në 1-2 me Patrik Shikun.
Ikardi ishte heroi tjetër i javës. Dy minuta para fundit shpëtoi nga shkarkimi Frank De Burin, edhe pse përkohësisht. Torino e fortë u mund 2-1 në “San Siro”, me Ikardin që shënoi në 35’, barazoi Beloti në 63’, dhe Ikardi vendosi sfidën në 88’.
Roma arriti një tjetër fitore të madhe, ku një tjetër futbollist shënoi dy herë. Ky ishte Edin Xheko, ndërsa përballja në fushën shumë të vështirë të Sasuolos u kalua 3-1. Kanavaro kaloi vendasit në epërsi, por Xheko (2 herë) dhe Naingolan përmbysën.
Elseid Hysaj provoi përsëri stolin, por luajti në pjesën e dytë për Napolin që triumfoi 2-0 ndaj Empolit. Ishte një derbi shqiptar pasi për miqtë titullar luajti Veseli, ndërsa golat u shënuan nga Mertens dhe Kikikesh.
Një tjetër derbi shqiptar në Peskarë. Ledian Memushaj dhe Rei Manaj ishin titullarë përballë Etrit Berishës që mbrojti portën e Atalantës. Fituan miqtë 1-0 me golin në pjesën e dytë nga Kaldara, ndërsa kapiteni vendas, Memushaj u zëvendësua në 58’.
Rezultatet: Juventus-Sampdoria 4-1, Inter-Torino 2-1, Napoli-Empoli 2-0, Sasuolo-Roma 1-3, Lacio-Kaljari 4-1, Fiorentina-Krotone 0-1.
Renditja: Juventus 24, Roma 22, Napoli 20, Milan 19, Lacio 18 etj.
B. Kuka