Është bela kur bëhet personazh publik. Kristiano Ronaldos ndoshta nuk është nga ata që i prish punë kjo gjë, madje dyshohet se portugezi i nxit vetë mediat që të merren me të. Një foto e postuar në profilin e tij në Instagram, ka nxitur thashethemet se CR7 kujdeset për imazhin e tij duke bërë operacione plastike. Fotoja ishte vërtet sikur po vendoste botoks në fytyrë, por nuk është e qartë nëse Ronaldo ka treguar një të vërtetë apo ka dashur të tallet.
Gjithsesi, mediat ka disa kohë që dyshojnë se portugezi vërtet ndërhyn në lëkurë. Revista e vendit të tij, “VIP”, që merret me thashetheme mbi jetën e njerëzve të tillë, shkruan se tri herë Topi i Artë vendos Botoks në fytyrë për të shtrirë lëkurën dhe për të zhdukur rrudhat. Revista informon se futbollisti i Realit ka shpenzuar deri tani mijëra euro për operacionet plastike.
Që në korrik, tabloidi britanik “San”, që nuk mbetet pas me thashethemet, pyeti kirurgun Aleks Karidis, që u shpreh se “duket se ai (Ronaldo) ka vendosur botoks rreth syve dhe në ballë, pasi lëkura e tij aty nuk ka thuajse asnjë rrudhë”. Sipas ekspertëve që nuk jepen me emër, portugezi e bën këtë veprim çdo katër muaj.
Në të vërtetë, e gjitha kjo është diçka private, një lloj dëshire e Kristianos për të qenë gjithnjë i bukur dhe i ri, dhe nuk është se i prish apo i rregullon punë njerëzve të tjerë.
B. Kuka