Me apo pa Aleksis Sançezin, ata janë të lumtur dhe me besim. Tifozët e Interit mendojnë se më në fund klubi i tyre gjeti një trajner të denjë për fanelën zikaltër, të tillë për t’u barazuar me Zhoze Murinjon, apo legjendat e kaluara si Helenio Herrera apo Xhovani Trapatoni. Antonio Konte do të drejtojë sot ndeshjen e parë në stol, që pas nënshkrimit të kontratës dhe plot 65 000 tifozë priten në tribunat e “San Siros”.
Aspak gjë e vogël, edhe pse impianti milanez mban të paktën 80 000, por zhgënjimet interiste kanë qenë tepër të mëdha vitet e fundit. Konte ka krijuar entuziazëm dhe pritet fitore në debutimin e trajnerit, por edhe të sulmuesit Romelu Lukaku. Jo vetëm kaq, por 65 000 zikaltër në “San Siro” nuk janë parë që nga ndeshja ndaj Udinezes menjëherë pas fitores së tripletës me Murinjon në 2010. Leçe, ish-ekip i juventinit, do të bëjë padyshim rezistencë të fortë, por publiku është i bindur për suksesin.
Sfidanti.al