Çfarë mëkati për Romën, Xheko jo ndaj Juventusit!

Nëse do t’i ndodhte Juventusit apo Realit, punë e madhe. Flitet për skuadra që kanë stol plot me lojtarë të gatshëm dhe mungesa e një sulmuesi nuk do të ishte kurrë fundi i botës, edhe pse mund të bëhej fjalë për më të mirin. Me Romën, ama, ndryshon puna. Edin Xheko nuk do të luajë ndaj Juventusit këtë fundjavë në Serinë A (të paktën, sipas mediave italiane). Sulmuesi boshnjak, më i miri i kryeqytetasve dhe ndoshta më i miri i Serisë A këtë edicion (27 gola në krye të renditjes), ka një dëmtim në pulpë.

Mungesa e Xhekos nuk do të jetë e vetmja. Trajneri Luçiano Spaleti nuk do të ketë të pezulluarin Strotman, ndërsa Naingolan është në dyshim, edhe belgu për shkak dëmtimi. Të gjitha këto, pasoja të përballjes me Milanin në “San Siro”. Pritet që Spaleti të luajë me një “tridhëmbësh” të peshës “pupël” të përbërë nga El Sharaui-Salah-Peroti, ndërsa nuk pritet që të luajë Toti, të paktën jo që nga fillimi.

Sfidanti.al