Bufoni zbulon se cili lojtar i ka shkaktuar atij më shumë “dhimbje”!

Xhanluixhi Bufoni “ngriti shumë pluhur” me intervistën që ai dha në “Markën” spanjolle. Portieri legjendar i Juventusit, midis të tjerave, foli edhe për lojtarin që kishte shkaktuar atij më shumë “dhimbje” në duelet e ndërsjellë. Bufoni, gjatë karrierës së tij 20-vjeçare, ka pasur mundësinë që të luajë kundër futbollistëve të brezave të ndryshëm, midis tyre shumë yje, por, sidoqoftë, midis të gjithë kundërshtarëve, ai dallon vetëm njërin.

“Gjatë viteve të fundit, unë kam luajtur kundër shumë lojtarëve që kanë qenë të një klasi të lartë. Por ai që më ka shkaktuar mua ‘dhimbjen’ më të madhe dhe më shumë ‘dëme’ sesa të tjerët, ishte Ronaldo, braziliani Ronaldo. Ai ishte prototipi i futbollit perfekt, kishte shpejtësi, forcë, intuitë, teknikë, shkurt, ai ishte një lojtar që të linte me gojë hapur! Ai dukej sikur ishte krijuar në laborator, thjesht, nuk mund ta besoje se ai ishte një njeri Toke i zakonshëm”, vuri në dukje Bufoni në intervistën e tij të lartëpërmendur.

Sfidanti.al